Konferencë e përbashkët Instituti AAB -SHKÇAK për javen e profesionit të Kontabilitetit dhe Auditimit me titull “Krijimi i vlerave – Porta e së ardhmes”




Në Prishtinë, me datë 8 nëntor, Instituti AAB për Kontabilist dhe Auditor të Certifikuar në bashkëpunim me Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës organizuan konferencën me titull “Krijimi i vlerave – Porta e së ardhmes” duke shënuar javën e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit. Pjesë e kësaj konference ishin akterët relevant për të diskutuar rreth trendeve, raportimeve dhe zhvillimeve të fundit me qëllim të promovimit të përgjegjësisë sociale përmes praktikave më të mira për transparencë dhe llogaridhënie në shërbim të interesit publik.

Gjatë diskutimeve në kuadër të konferencës, u theksua se profesionistët e kontabilitetit dhe auditimit janë shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së një vendi, të cilët me përkushtim të lartë angazhohen duke respektuar standardet më të larta etike, ata japin një kontribut të madh në integritetin financiar, rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë fiskale. Ndër të tjera, u potencua se të gjitha subjektet relevante në vend duhet të angazhohen në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet veti, që të ndikojnë në zvogëlimin e ekonomisë informale dhe ngritjes së një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimore afatgjate. Po ashtu në kuadër të angazhimeve tona të përbashkëta duhet një bashkërendim i aktiviteteve për t’u ballafaquar me rreziqet lidhur me klimën dhe mjedisin, dhe të angazhohemi në harmonizimin e kornizës rregullative me rregulloret dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Shoqatat profesionale si Instituti AAB dhe ShKÇAK, kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin profesional të profesionit të kontabilistëve dhe auditorëve në Kosovë, të cilët kontribuojnë në ngritjen dhe forcimin e llogaridhënjes, raportimit financiar, auditimit e menaxhimit financiar si në sektorin privat edhe në atë publik. Prandaj është e rëndësishme dhe domosdoshme të kujdesemi që të gjitha subjektet relevante për edukim të vazhdueshëm profesional, rritje e cilësisë së raportimit financiar dhe auditimit, të cilat ndikojnë në ruajtjen e stabilitetit financiar, përmirësimin e menaxhimit të financave në sektorin privat dhe publik e të gjitha këto së bashku në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ndikim në mirëqenien e qytetarëve dhe në zhvillimin ekonomik.

Guvernatori i BQK-së z.Ahmet Ismaili gjatë fjalës hyrëse në këtë konferencë theksoj se BQK-ja është angazhuar që të ofrojë kornizë rregullative në harmoni me praktikat më të mira ndërkombëtare, që lidhet me raportimin dhe auditimin e institucioneve financiare, si dhe miratimit të auditorëve të jashtëm. Si dhe nënvizoj se “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës angazhohet në bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet tjera në nivel të vendit, të ndikojë në zvogëlimin e ekonomisë informale dhe ngritjes së një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimore afatgjate”.

Auditorja e Përgjithshme, Znj.Vlora Spanca, në fjalën hyrëse të kësaj konference, deklaroj se “Zbatimi rigoroz i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe auditimit si të sektorit privat dhe të atij publik, të qenit në përputhje me parimet etike dhe vlerat që i promovojnë këto profesione padyshim janë udhërrëfyesi kryesor që hapin portën drejtë një të ardhme më të mirë për vendin tonë”.

Konferenca vazhdoj punimet me dy panele, ku paneli i parë diskutoj lidhur me temën: “Raporti i Qëndrueshmërisë – ESG” me panelistët: Znj. Merita Gjyshinca Peja – Drejtoreshë Financiare – Raiffeisen Bank; Z. Fatos Hasani – Udhëheqës i Njësisë së Mjedisit – ProCredit Bank; Znj. Teuta Ukshini Aliu – Anëtare e ShKÇAK; Z. Visar Perani – Udhëheqës i Zyrës së Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) për Kosovë dhe Maqedoni Veriore, dhe i moderuar nga Znj. Elvira Ibrahimi Hoti – ShKÇAK. Në këtë panel u diskutua lidhur me ESG (Environmental, Social, and Governance) dhe impaktin e tyre në vendimmarrjen korporative. Diskutimet adresuan se si kompanitë mund të integrojnë faktorët ESG në strategjitë e tyre dhe të bëhen pjesë e zgjidhjeve të sfidave të ndryshimit klimatik dhe përmirësimit të kushteve shoqërore dhe mjedisore. Panelistët gjithashtu eksploruan hollësitë e procesit të raportimit të ESG-ve, nisur nga informacioni fillestar dhe angazhimi vullnetar për të kontribuar në planet dhe mirëqenien e njerëzve.

Ndërsa paneli tjetër diskutoj lidhur me temën: “Parandalimi i Pastrimit të Parave” i moderuar nga Z. Adrian Alo – ShKÇAK, dhe me panelistët: Z. Mahir Tutuli – Kryetar i Gjykatës Komerciale; Z. Behar Xhema – Ushtrues Detyre i Drejtorit të Njësisë të Intelegjencës Financiare; Z. Denis Dautaj – Kryetar i Komitetit për AML në Shoqatën e Bankave; Z. Avni Berisha – Anëtar i Instituti AAB. Përfaqësues të institucioneve të ndryshme shpalosën perspektivat e tyre për t`i adresuar çështjet që ndërlidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe zbatimin e praktikave më të mira në këtë fushë. Në kuadër të diskutimeve të kësaj teme panelistët u pajtuan se parandalimi i pastrimit të parave dhe luftimi i financimit të terrorizmit në Kosovë është një komponent kritik i kornizës financiare dhe ligjore të vendit që synon parandalimin dhe zbulimin e aktiviteteve të paligjshme financiare.

Në kuadër të këtij paneli diskutimi, Z. Avni Berisha – Anëtar i Instituti AAB potencoj se nuk ka standarde të veçanta në kuadër të SNK-ve, SNRF-ve apo SNA-ve që merrën ekskluzivisht me procedurat e identifikimit dhe parandlimit të transaksioneve që ndërlidhen me PP dhe FT. Kontabilistët gjatë ushtrimit të profesionit të tyre shfrytezojnë SNK-të apo/dhe SNRF-të, dhe në shumë vende edhe standardet lokale të kontabilitetit dhe raportimit financiar. Gjithashtu e theksoj se ndër parimet themelore të profesionit të auditorit është edhe konfidencialiteti i informatave të pranuara nga klienti. Por ky parim i auditorit për ruajtjen e konfidencialitetin për klientin mund të anashkalohet nga statuti dhe ligji pasi sipas kuadrit ligjor aktual, detyra e auditorit është të raportojë tek autoritetet rregullatore rastin e dyshuar/konfirmuar të shkeljes apo mosrespektimit të ligjit. Pastaj, nëse ka ndonjë anomali, diskutoni të njëjtën gjë me personat e ngarkuar me qeverisjen dhe nëse informacioni i mjaftueshëm nuk është marrë, atëherë auditori mund të kërkojë këshilla ligjore.

Në pjesën e fundit në kuadër të konferencës u zhvillua fillimisht sesioni i parë i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional me temë: “Përgjegjësitë e profesionistëve të kontabilitetit dhe auditimit në Parandalimin e Pastrimit të Parave” meligjëruesë: Znj. Flutra Blakçori dhe Z. Arton Hajdari nga Njësia e Intelegjencës Financiare (NJIF). Në këtë pjesë të sesionit te EVP-ve u diskutua mbi elementet themelore kundër pastrimit të parave: çfarë mund të bëjnë auditorët/kontabilistët për të dhënë një kontribut pozitiv për interesin publik.

Ndërsa në sesionin e dytë në kuadër të konferencës, krejt në fund u zhvillua edhe sesioni tjetër i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional me temë: “Kërkesat dhe procedurat e inspektimit të inspektorëve të punës” me ligjërues: Z. Ahmet Delolli – Koordinator i Inspektoratit të Punës në Rajonin e Prishtinës. Ky sesion mundësoi ndarjen e informacionit teknik dhe këshilla mbi praktikat më efikase të zbatimit të ligjeve dhe dispozitave relevante në fushën e punës dhe ishte një mundësi unike për të diskutuar mbi kërkesat e inspektorëve të punës në terren dhe për mbarëvajtjen e inspektimeve në përgjithësi.

Pjesë e kësaj konference dhe paneleve të diskutimit dhe sesioneve të EVP-se ishin anëtarët e dy shoqatave Instituti AAB dhe SHKÇAK.Prandaj gjatë tërë konferencës nga shumica e akterëve në diskutimet e tyre si në pjesë hyrëse dhe gjatë paneleve dhe sesioneve tjera u mirëprit bashkëpunimi midis shoqatave profesionale Instituti AAB dhe SHKÇAK dhe anëtarësive të tyre përkatëse si në temat e kësaj konference por u përkrahen edhe për temat tjera në të ardhmen dhe aktivitetet e përbashkëta.

Instituti AAB falenderon SHKÇAK, për bashkëpunimin e ofruar për këtë konferencë.

Mirëupafshim në organizimet tjera të përbashkëta!

Share: