Përfaqësuesit e Institutit AAB për Kontabilist dhe Auditor të Certifikuar pjesë e Konferencës Ndërkombëtare në Lisbon, Portugali
Përfaqësuesit e Institutit AAB për Kontabilist dhe Auditor të Certifikuar, z. Ylber Prekazi, Drejtor Ekzekutiv, dhe z. Avni Berisha, Kryetar i Bordit, po marrin pjesë në Konferencën Profesionale të FCM – Fédération des Experts Comptables Méditerranéens, e cila po zhvillohet në Lisbonë në bashkëpunim me Ordem dos Contabilistas Certificados të Portugalisë.
Konferenca me temën “Kontabilistë të Gatshëm për të Ardhmen: Inovacion, Qëndrueshmëri dhe Ndikim Rajonal” (“Future-Ready Accountants: Innovation, Sustainability, and Regional Impact”) ka mbledhur profesionistë, drejtues dhe përfaqësues të organizatave kombëtare nga i gjithë rajoni i Mesdheut, duke reflektuar vizionin e përbashkët për një profesion të llogaridhënies dhe auditimit që përparon drejt së ardhmes.
Programi i konferencës trajton një sërë temash kyçe për të ardhmen e profesionit, përfshirë:
• ESG dhe Qëndrueshmërinë,
• Transformimin e menaxhimit dhe inovacionin,
• Ndërtimin e kapaciteteve profesionale,
• si dhe segmentin e ri të prezantuar mbi Paktin e BE-së për Mesdheun, që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrja e Institutit AAB në këtë aktivitet të rëndësishëm përfaqëson një mundësi të vlefshme për të sjellë në Kosovë përvoja, praktika dhe vizione të reja, duke kontribuar në zhvillimin dhe modernizimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në vend.
Instituti AAB mbetet i përkushtuar në avancimin e standardeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në frymën e një komuniteti të unifikuar mesdhetar.